Lançimi i EIPASS pranë zyrës së Informacionit të Bashkimit Evropian/EUIC(European Union Information Centre) për qarkun e Vlorës

Më 5 Nëntor 2014, Qendra e Informimit e Bashkimit Evropian në Vlorë priti një sesion informimi rreth “EIPASS”, që konsistoi në prezantimin e çertifikimit të Pasaportës Evropiane të Informatikës, të shpërndarë nga Kompetencat Dixhitale në fushën e TIK.

Çertifikimi i aftësive në fushën e TIK ka një rëndësi strategjike për rritjen e përgjithshme të kulturës dixhitale dhe shpërndarjen e atyre aftësive “jo formale” që Institucionet Evropiane i konsiderojnë themelore për profilin e qytetarit të ri Evropian. Në linjë me Axhendën Dixhitale për Evropën që ka për qëllim të ndihmojë qytetarët dhe bizneset e Evropës të marrin maksimumin e teknologjive dixhitale, pasi kjo është një nga nismat e Evropa 2020, Qendra e Informimit e BE-së Vlorë, ftoi pjesëmarrës direkt të interesuar që përfshinin studentë të universitetit dhe shkollave të mesme, përfaqësues të OShC-ve, administratës publike si dhe të komunitetit të biznesit dhe mediave lokale.

Aktiviteti u drejtua nga Znj. Anila Busho, përfaqësuese e EIPASS për Shqipërinë dhe rajonin si dhe nga referentja EIPASS për Vlorën Znj. Eriselda Balliu, si dhe njëkohësisht drejtore e qendrës së akredituar EIPASS në Vlorë “Smart Center”, e cila shpjegoi përmes një demonstrimi praktik, përdorimin e platformës DIDASKO dhe faqes zyrtare të EIPASS. Ajo prezantoi pjesëmarrësit me leksionet online dhe testet përgatitore për provimin final.

Pjesëmarrësit u njohën me të gjitha llojet e çertifikimeve EIPASS të ofruara për të gjitha moshat dhe profesionet. Ajo tregoi kriteret e kandidatëve për një përfundim me sukses të çertifikimit EIPASS bashkë me kohëzgjatjen dhe përfitimet për CV-të e tyre dhe karrierën personale dhe profesionale, në përputhje me Udhëzimet e BE-së në kriteret “Front Office” për njohjen e aftësive bazë dixhitale.

Rëndësia e kompetencave dixhitale u njoh nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian në vitin 2006 në rekomandimet për aftësitë kyçe për të mësuarit përgjatë gjithë jetës kur i identifikoi ato, si një nga tetë aftësitë themelore për të gjithë individët e një shoqërie të bazuar në njohuri.