EIPASS Albania promovon Kulturën Dixhitale!

Në datën 18 Shtator 2014, pranë Zyrës së Informimit të Bashkimit Evropian EUIC, me seli në Shkodër, u mbajt një sesion informimi mbi kulturën në përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit.

Sesioni konsistoi në prezantimin e çertifikimeve EIPASS (European Informatics PASSport) tashmë të pranishme prej 2 vjetësh në Shqipëri, dhe së fundmi edhe në qytetin e Shkodrës.

EIPASS e njohur në Shqipëri si Pashaporta Evropiane e Informatikës distribuohet nga CERTIPASS DIGITAL SKILLS për çertifikimet në fushën e TIK të njohura në Evropë dhe në botë në nivelin IIPASS (International Informatics PASSport).

Në fillim të sesionit u prezantua DIGITAL SKILLS si enti distributor i këtyre çertifikimeve nëpërmjet përfaqësueses për Shqipërinë, Zj. Anila BUSHO.

Më pas sesioni vazhdoi me një prezantim të qendrës së akredituar nga DIGITAL SKILLS për qytetin e Shkodrës për çertifikimet EIPASS, Globe Language Center nëpërmjet drejtoreshës së saj, Zj. Atila ULIGAJ.

Pjesa e tretë dhe më rëndësishmja e këtij sesioni informues u zhvillua dhe u konkretizua nëpërmjet përdorimit të platformës DIDASKO. Ky prezantim u realizua nga ekspertia IT e qendrës Globe Language Center, njëherësh edhe e çertifikuar nga CERTIPASS si Trajnuese dhe Ekzaminuese e çertifikimeve EIPASS për Shkodrën dhe rajonin, Zj. Helga SALLAKU. Prezantimi konsistoi në demostrimin praktik të përdorimit të platformës DIDASKO nga faqja zyrtare e internetit e EIPASS në pozicionin  e një kandidati EIPASS dhe në pozicionin e një Ei-Center të akredituar. U prezantua mënyra e marrjes së mësimeve në mënyrë elektronike on-line dhe e realizimit të testimeve përgatitore për provimet përfundimtare në mënyrë elektronike on-line. U prezantuan të gjithë llojet e çertifikimeve EIPASS që ofrohen për të gjitha grup moshat dhe për të gjithë profesionet.

U theksuan kriteret që një kandidat EIPASS duhet të plotësojë për të përfunduar me sukses një çertifikim EIPASS, kohëzgjatja e tyre si dhe u prezantuan përfitimet e një kandidati EIPASS në CV e tij dhe në karrierën e tij profesionale. U prezantua mënyra e komunikimit virtual ndërmjet trajnuesit, ekzaminuesit, Ei-Center-it dhe kandidatit EIPASS si dhe elementët e sigurisë së çertifikatave EIPASS përfshirë autenticitetin e tyre dhe verifikimin lehtësisht on-line të origjinalitetit të tyre nëpërmjet aksesit në bazën e të dhënave të përdoruesve EIPASS në të gjithë botën.

Gjithashtu u prezantuan kreditet që mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme përfitojnë nga çertifikimet EIPASS konform akreditimit të këtyre çertifikimeve nga Ministria e Arsimit. U prezantua njohja e krediteve të këtij çertifikimi si provim informatike nga universitetet italiane për ata studentë që studiojnë në Itali. U prezantua përfitimi i Administratës Publike nga  çertifikimi EIPASS për institucionet shtetërore dhe private.

Në përfundim të sesionit informues u vendosën në dispozicion disa minuta për diskutim dhe pyetje nga ana e pjesëmarrësve, të cilët rezultuan se ishin shumë të interesuar dhe kjo vërtetoi edhe një here impaktin pozitiv që sesioni pati tek të gjithë pjesëmarrësit.